kryetar-foto

Melaim Damzi u  lind më 02 Shtator 1967,  në Luzni të Dibrës.

Shkollën  8-vjeçare e kreu në fshatin e lindjes, të mesmen në qytetin e Bulqizës dhe  studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë  gjatë viteve 1986-1991, ku është diplomuar për mjekësi të përgjithshme. Ka kryer specializime pasuniversitare për kirurgji  në vitet 1997-2001, ndërsa specializimin për ekspert mjeko – ligjor  e kreu në vitet 2002 -2003 në Tiranë.

Fillimet e tij të para në karrierë kanë qenë  në Bulqizë, ku ka ushtruar profesionin e mjekut duke lënë mbresa të veçanta dhe duke përcjellë  ndjenja  të forta mirësie dhe respekti për të gjithë qytetarët. Ka punuar pareshtur, duke spikatur për korrektësinë dhe punën e palodhur në përmirësimin e Shërbimit të Urgjencës së Kirurgjisë.

Në  vitet 1991-1994 ishte  Shef i Shëndetësisë  Brigada e Bulqizës dhe në vitet 1994-1996 Shef i  Divizionit të Burrelit.

Prej viteve 2001-2013 ka vazhduar karrierën e tij si Kirurg në Spitalin Rajonal Peshkopi dhe brenda kësaj periudhe ka mbajtur dy herë postin e Drejtorit të Spitalit Rajonal Peshkopi , përkatësisht në vitet 2004–2005 dhe 2012–2013.

Gjithashtu Melaim Damzi është një emër i njohur edhe në politikë. Ka qenë në krye të  Partisë Socialiste të Dibrës nga viti 2008 deri në vitin 2011.

Më tej do jetë në krye të  Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim  në vitin 2013.

Më 4 tetor 2013 u emërua prefekt i Qarkut të Dibrës, detyrë që e kreu deri në pranverë të vitit 2015, kur kandidoi për kryetar  të Bashkisë së Bulqizës.

Në garën për kreun e Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi hyn si kandidat i Koalicionit Për Shqipërinë Europiane.

Duke u rikthyer edhe një herë mes njerëzve të cilët gëzonin konsideratë dhe mirënjohje për njeriun që u kishte shërbyer me humanizëm për vite me rradhë, ai thekson  faktin se është  kandidat i koalicionit PS – LSI dhe si i tillë nuk sheh dallime politike. Gjithpërfshirja dhe bashkëpunimi është  karakteristikë e punës së tij edhe në nivel drejtues. Duke theksuar herë pas herë se në Bulqizë nuk ka vetëm krom, ai vjen me ide të qarta. Kjo garë ishte një sfidë për të, një sfidë mes miqsh dhe të njohurish.

Melaim Damzi fiton me votë plebishitare zgjedhjet e 21 qershorit 2015- të.

Aktualisht është kryetar i Bashkisë Bulqizë.