Referuar shqetësimit që është ngritur para institucionit të Bashkisë Bulqizë nga prindër dhe nxënës të Qytetit të Ri, por edhe interesimit nga media në lidhje me ndryshimin e godinës për zhvillimin e procesit mësimor, Insitucioni ynë del me këtë deklaratë zyrtare:

 

Së pari, ndryshimi i shkollës për zhvillimin e procesit mësimor nga Shkolla “Shefqet Tançi” në shkollën “Xhevdet Doda” do të bëhet pasi në godinën aktuale po zhvillohen punime për rikonstruksionin e saj.

Kjo për shkak, se shkolla është në gjendje të amortizuar dhe Bashkia Bulqizë synon ta kthejë këtë shkollë në një godinë me parametra e standarte bashkëkohore, me qëllim ofrimin e shwrbimeve nw një nivel sa më të lartë për komunitetin tonë.

Së dyti, sa i përket ankesës së prindërve në lidhje me transportin urban të fëmijëve, Bashkia Bulqizë, e sheh shume të arsyeshme këtë kërkesë për shkak edhe të kushteve klimatike që ka vendi ynë në dimër.

Nga ana tjetër, bëjmë me dijë se Bashkia nuk është institucioni kompetent për sigurimin e transportit të nxënësve dhe mësuesve. Sipas vendimit nr 398 të Këshillit të Ministrave të datës 03/05/2017 në pikën 3 të tij, mbështetur edhe në Ligjin për Prokurimet Publike, transportin publik për nënësit dhe mësuesit e ofron Njësia Arsimore.

Edhe pse të ndodhur në këto kushte, sërish Bashkia Bulqizë është e vendosur për të bërë më të mirën, në mënyrë që kjo situatë të zgjidhet dhe fëmijët të vazhdojnë normalisht mësimin.

Referuar gjithashtu ankesës së prindërve lidhur me pretendimin e zgjatjes së fillimit të punimeve, Bashkia Bulqizë i ben me dije opinionit publik dhe medias së interesuar, se fondi për rikonstruksionin e kësaj shkolle ka ardhur i vonuar në kohë. Konkretisht, fondi ka ardhur më datë 26 qershor dhe është anuluar dy herë për mungesë dokumentacioni të ofertuesve.

Ndërsa përsa i përket shqetësimit tjetër të prindërve për transferimin e një pjese të nxënësve në Shkollën Profesionale, ju bëjmë me dije se ky është një vendim që vjen si pasojë e një Udhëzimi që ka ardhur nga Ministria e Arsimit që nuk lejon klasa me mbi 25 nxënës. Edhe pse nuk është në tagrin e Bashkisë, sërish Insitucioni merr përsipër krijimin e kushteve me infrastrukturë bazike për të zhvilluar mësimin.

Në këto kushte, me dëshirën për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme për të gjitha gjitha palët, por mbi të gjitha për nxënësit dhe fëmijët, Kryetari i Bashkisë Bulqizë z. Melaim Damzi, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me strukturat dhe drejtorin e Zyrës Arsimore Bulqizë.

Ndaj në këtë kuadër, do ti drejtohen me një kërkesë zyrtare të përbashkët Ministrisë së Arsimit për të mundësuar mbulimin e transportit të nxënësve. Gjithashtu, duke ritheksuar se kjo çështje del jashtë kompetencave të Insitucionit tonë, Bashkia Bulqizë po punon për gjetjen e një godine që femijët të akomodohen aty për zhvillimin e mësimit, deri në momentin e mbarimit të punimeve për rikonstruksionin e Shkollës 9-vjeçare “Shefqet Tançi”.