Kryetari Bashkisë Bulqizë z. Melaim Damzi ka inaguruar kopshtin “Eleni Kola” si një dhuratë që ju bëhet fëmijëve të këtij qyteti në festën e tyre në 1 qershor. Gjatë përurimit të këtij kopshti ka qenë e pranishme edhe edukatorja që ka punuar me vite në këtë kopsht, emrin e të cilit mban dhe kopshti i ri, znj. Eleni Kola. Fillimisht kryetari ka pritur në zyrën e tij Znj. Eleni dhe bashkëshortin e saj, më tej janë zhvendosur në ambjentet e kopshtit të ri ku kanë parë nga afër çdo hapësirë dhe kanë takuar dhe fëmijët e këtij kopshti, gjithashtu kanë mbajtur edhe fjalë përshëndetëse. Gjatë fjalës së tij kreu i bashkisë e ka quajtur këtë kopsht një premtim të mbajtur të bashkisë Bulqizë, dhe një dhuratë për fëmijët e këtij qyteti në këtë 1 qershor. Kryetari i bashkisë ftoi qytetarët të bashkëpunojnë për më shumë vepra konkrete, si ky kopsht. Gjithashtu kryetari falenderoi edukatoren Eleni Kola për kontriburin që ka dhënë në edukimin e brezave në këtë qytet, dhe ftoi edukatoret që punojnë aktualisht të ecin në hapat e saj. Falenderime nga kreu i bashkisë shkuan edhe për shoqatën Word Vision të cilët mbështetën këtë investim me kontributin e tyre në arredimin e kopshtit.
Përfaqësuesja e Word Vizion znj. Marketa Jella tha që Word Vision do vazhdojë të mbështesë projektet në të mirë të komunitetit dhe qytetarëve, dhe se ata janë të gatshëm dhe të hapur për çdo bashkëpunim të mundshëm më bashkinë Bulqizë.
Në këtë ceremoni inagurimi të kopshtit, nuk kishte si të mungonte edhe fjala e edukatores së nderuar emrin e të cilit mban kopshti.
Znj. Eleni Kola në një fjalim emocionues foli mbi vitet e punës në atë kopsht, mbi vështirësitë në infrastrukturën e atëhershme por edhe mbi kënaqësinë që merrte nga puna me fëmijët. Znj. Kola nuk la pa përmendur edhe stafin e atëhershëm të cilët i falenderoi për punën dhe përkushtimin, dhe shprehu lumturinë e saj që sot gjendet përsëri në atë kopësht ku ka edukuar breza për 26 vitë me rradhë. Falenderime nga ana e saj për punën e bashkisë dhe veçanërisht për kryetarin e saj z. Melaim Damzi që e ktheu këtë godinë të rrënuar në një godinë dykatëshe me standarte të larta dhe një vend komod, të rehatshem dhe shumë tërheqës për fëmijët.
Në kuadër të ceremonisë së inagurimit aktiviteti u zhvendos në qendër të qytetit, përpara ambjenteve të Qendrës Kulturore, ku bashkia Bulqizë në bashkëpunim me Qendrën Kulturore dhe fëmijë të shkollave 9-vjeçare kishin organizuar një aktivitet artistik për 1 qershorin, festën e fëmijëve. Në këtë aktivitet përshëndeti në emër të bashkisë Bulqizë Drejtoresha e Arsimit Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve znj. Teuta Cami, e cila uroi fëmijët në këtë 1 qershor duke shprehur angazhimin e saj dhe institucionit që përfaqëson për më shumë projekte dhe investime në arsim. Falenderoi për punën e palodhur dhe humane mësuesit, dhe gjithashtu prindërit për besimin që ju japin duke iu besuar edukimin e fëmijeve që janë më të shtrenjtit e tyre.
Në këtë aktivitet përshëndeti dhe përfaqësuesja e Zyrës Arsimore Bulqizë znj. Dhurata Daxha dhe uroi fëmijët për festën e 1 qershorit!