Pas një paraqitjeje futbollistike shumë të kënaqshme gjatë vitit që lamë pas, KF Bulqiza për herë të parë është ngjitur zyrtarisht në kategorinë e dytë.
Në lidhje me këtë event, Bashkia Bulqizë organizoi një ceremoni të posaçme, ku ndër të tjera u shpërndanë medaljet për lojtarët e skuadrës, një kupë simbolike për KF Bulqiza dhe certifikata mirënjohjeje nga Bashkia për persona që kanë kontribuar në rrugëtimin e skuadrës.
Ceremonia e zhvilluar në mjediset e Bashkisë nën masa të kujdesshme ndaj pandemisë COVID-19, nisi me fjalën e Kryebashkiakut Lefter Alla, i cili në fjalën e tij renditi edhe arsyet kryesore të mbështetjes që ka treguar ndaj futbollit bulqizak gjatë vitit të fundit.
Kjo skuadër është dhe do të jetë krenaria e qytetit tonë. Vlen te permenden  përpjekjet e bëra kryesisht pas viteve ‘90 nga trajnerët dhe mësuesit e pasionuar si Sabri Abdiu, Tomor Shahini, Ilir Disha, Rami Hoxha, Artan Greva, Hakik Çekiçi, etj., të cilët kanë punuar me shpirt për ta ngritur futbollin në Bulqizë.
Ceremonia vijoi më tej me fjalën e trajnerit të KF Bulqiza, Hakik Çekiçi, i cili u shpreh entuziast se me mbështetjen e Bashkisë , donatorëve të ndryshëm,me vullnetin dhe këmbënguljen e djemve të skuadrës që drejton, futbolli bulqizak mund të zhvillohet dhe të arrijë në nivelet e skuadrave më të mira në vend dhe me gjerë.
Gjatë fjalës së tij, Kapiteni i skuadrës Mirjan Pepa falenderoi të gjithë shokët e ekipit për lojën këmbëngulëse dhe bashkëpunimin që treguan gjatë gjithë vitit, duke bërë që KF Bulqiza të ngjitet për herë të parë në Kategorinë e dytë. Ai shprehu mirënjohje ndaj trajnerit Hakik Çekiçi për profesionalizmin e treguar në drejtimin e skuadrës, si edhe ndaj kryebashkiakut , i cili i ka shoqëruar dhe mbështetuar ata në çdo ndeshje.
Në fund të ceremonisë, Kryetari i Bashkisë Lefter Alla dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak Gëzim Xhafa shpërndanë medaljet për lojtarët e skuadrës, si edhe certifikat e mirënjohjes për personat që kanë kontribuar në rrugëtimin e KF Bulqiza.

Djemtë tanë  u përkushtuan maksimalisht deri në ndeshjen e fundit, duke u kthyer kështu në një burim frymëzimi dhe shprese se me këmbëngulje dhe me vullnet të pareshtur, futbolli i Bulqizës mund të bëjë përpara edhe në vitet në vijim. Ata na ringjallën besimin dhe meritojnë respektin e të gjithëve ne.

Për të vijuar traditën dhe për të mbajtur gjallë shpresën e futbollit bulqizak, ne jemi në diskutime për të hapur edhe një akademi futbolli për të rinjtë tanë, e cila do të jetë një burim premtimi për të ardhmen e KF Bulqizës.

Pas disa negociatash të vazhdueshme me Federatën Shqiptare të Futbollit, po finalizojmë ndërtimin e fushës, të lënë në harresë për vite me radhë.

Ftohen të gjithë aktorët e ndryshëm social, biznesmenë, qytetarë e sportdashës, që jetojnë këtu apo jashtë vendit, të cilët kanë mundësi të kontribuojnë, që të na bashkohen në fuqizimin e KF Bulqiza.

Le të bëhemi bashkë për ta futur KF Bulqiza në listën e skuadrave më të suksesshme në vendin tonë.