Organizimi i eventit të vendosjes së përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skendërbeut në vendin e quajtur “Gurët e Skenderbeut” në Fushën e Vajkalit mblodhi në Bulqizë figura të shquara të politikës, artit, kulturës, historisë dhe trashëgimisë kulturore në vend.
Personalitete si ish presidenti i vendit z. Alfred Moisiu, Mjeshtri i madh Bujar Kapexhiu, z. Skënder Sala i vetmi aktor i gjallë që ka luajtur Skënderbeun në teatër , Profesor e personalitete të tjerë të rëndësishëm të jetës në rrang kombëtar.
Eventi staroi që në orët e para të mëngjesit me aktivitete në qendër të qytetit, më tej u zhvillua një aktivitet artistik në ambjentet e Qendrës Kulturore. Mbajti fjalën e tij përshëndetëse në hapje të aktivitetit zv/kryetari i Bashkisë Bulqizë z. Adhurim Lika, i cili falenderoi të pranishmit në këtë event të rëndësishëm në nder të heroit të të gjithve Skënderbeut.
Në emër të bashkisë në fjalën e tij zv/kryetari tha se bashkia ka mbështetur dhe do vazhdojë të mbështesë si prioritet vlerat kulturore e historike të cilat janë potencial me të cilat Bulqiza krenohet.
Gjithashtu përshëndeti ish presidenti Z. Alfred Moisiu i cili e quajti nder dhe privilegj praninë e tij në këtë event mes popullit Bulqizak, në nder të heroit tonë kombëtar, për të vendosur përmendoren e tij në fushën e Vajkalit.
Më tej prekëm historinë me anë të përshëndetjes së prof. Adem Bungurit, i cili foli mbi dy betejat e rëndësishme të zhvilluara në Fushën e Vajkalit, aty ku përurohet vendosja e përmendores së Skënderbeut, heroit që na bën krenar në botë.
Gjithashtu gjatë aktivitetit u zhvillua një program i shkurtër artistik me këngë dhe valle tradicionale të zonave të Bulqizës.
Të pranishmit ndoqën më tej një dokumentar të realizuar me shumë punë dhe profesionalizëm nga dy studentë të gazetarisë, në dokumentar u shfaq e përmbledhur historia e betejava të Skënderbeut në Fushën e Vajkalit dhe lidhjen e heroit tonë kombëtar me Bulqizën dhe Dibrën.
Më pas të pranishmit u zhvendosën drejt Fushës së Vajkalit, në vendin e quajtur “Gurët e Skënderbeut” për të përuruar përmendoren e Skënderbeut.
Personalitet të pranishëm nga Shqipëria dhe Kosova mbajtën fjalën e tyre të rastit pasi përuruan përmendoren.
Përshëndetën kryetari i bashkisë z. Melaim Damzi, ish presidenti z. Alfred Moisiu, iniciatori i këtij eventi z. Asllan Daxha, të ftuarit e nderit nga Prishtina, dhe gazetari i njohur Marin Mema, të cilët shprehen emocionet e veçanta që morën nga ky event dhe falenderuan organizatorët e këtij eveti me rëndësi të veçantë sic e quajtën ata.
Gjithashtu edhe djaloshi nga Bulqiza z. Edmond Balja i cili realizoi përmendoren e Skënderbeut, shprehu emocionet e veçanta mbi punën e tij për këtë vepër të bërë me zemër sic e quajti ai.

Në mbyllje të aktivitetit banorë të mbledhur nga gjithë zonat e Bulqizës dhe Dibrës fiksuan në foto çastet nga kjo ceremoni në nder të heroit tonë kombëtar dhe më gjerë të histories, e cila u zgjua dhe në Fushën e Vajkalit, duke e marrë pranë vetes edhe përmendoren e Skënderbeut për të plotësuar rrjedhën e pandryshueshme dhe të lavdishme të historisë.