Besimtarë bektashinj u mblodhën në vendin e quajtur Ballëm Sulltan në Martanesh, në pelegrinazhin e përvitshëm botëror.
Pjesëmarrës ishin edhe Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla, Kryegjyshi Botëror të Bektashinjve Baba Mondi, Prefekti i Qarkut Dibër z.Nexhbedin Shehu, dhe shumë besimtarë të tjerë të ardhur nga e gjithë Shqipëria.
Në fjalën e tij përshëndetëse Baba Mondi uroi besimtarët për këtë ditë të madhe, duke u lutur për sa më shumë begati, mirësi e shëndet për të të gjithë kombin shqiptar.
Nga ana tjetër, z.Alla u shpreh se janë pikërisht këto vende të shenjta, që na nxisin për të qenë më të të drejtë në raport me të tjerët, me veten, dhe mbi të gjitha me Zotin. Të gjitha besimet fetare në vetvete përfaqësojnë një sistem jetese, ku urdhërohet e mira dhe mohohet e keqja, smira e ligësia ndaj tjetrit.
“Është kjo ndjesi për të cilën ne sot të gjithë kemi nevojë, për të pastruar zemrat nën hijen e besimit, e për t’u lutur për mirësi për të gjithë kombin tonë, por edhe për të gjithë botën, që prej më shumë se një viti e gjysmë po përballet me një nga pandemitë më të vështira të historisë, që u ka kushtuar jetën miliona njerëzve.
Janë këto vende dhe këto momente që na bëjnë të reflektojmë ndaj të qenurit tonë human, ku racionaliteti mbisundon mbi egon, ku e mira triumfon mbi të keqen, ku optimizmi mposht pesimizmin, e si përfundim, të gjithë ndihemi më të pastër dhe më të sinqertë përballë Krijuesit.”, tha ai.