Me rastin e 5 majit , Kryetari i Bashkisë z.Lefter Alla, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Bashkiak Bulqizë vendosën sot buqeta me lule në nderim të heronjve të rënë.
Në fjalën e tij përshëndetëse z.Alla u shpreh se 5 maji është nga ditët më të rëndësishme për kombin shqiptar. “Dita e Dëshmorëve të lirisë, të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar, është dita e heronjve, dita e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, është një ditë nderimi për sakrificat dhe flijimin e tyre për ëndrrat që thurën për Shqipërinë që gëzojmë sot. Sot kujtojmë me përulje dhe nderim të veçantë mundin dhe gjakun e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, të cilët sakrifikuan jetën dhe ditët më të bukura të rinisë së tyre për atdheun tonë.”, u shpreh ai.
Më tej, z.Alla theksoi se kjo datë duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë. “5 maji duhet të na kujtojë të gjithëve, qofshim politikanë, juristë, mjekë, arsimtarë apo qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, se Shqipëria meriton të qëndrojë mbi çdo interes tjetër. Në respekt të sakrificave të mijëra dëshmorëve të rënë për këtë pasuri të madhe që gëzojmë sot, ky është momenti për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, për të menduar dhe kontribuar për të ardhmen e tij evropiane. Ky është momenti që të gjithë bashkë të dialogojmë dhe bashkëpunojmë për realizimin e ëndrrave të martirëve tanë.”, vijoi më tej z.Alla.