Bashkia Bulqizë ka përkujtuar 78 vjetorin e krijimit të Batalionit të Dibrës në vitin 1943.
Ceremonia u zhvillua pranë lapidarit të ngritur në kujtim të kësaj date dhe dëshmorëve të rënë për çlirimin e atdheut, duke vijuar më tej me organizime të tjera në vendin e quajtur Verritë e Miftarëve në Gjoricë të Poshtme.
Në këtë festë morën pjesë Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla, Prefekti z.Nexhbedin Shehu,Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër znj.Valentina Haliti,Kryatati i Këshillit Bashkiak z.Gëzim Xhafa ,veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare, familjarë të dëshmorëve dhe shumë banorë të tjerë të ardhur nga zona të ndryshme të Bulqizës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Alla u shpreh se 26 korriku është një nga ato data që meriton të skalitet jo vetëm në kalendarin e ditëve të rëndësishme për komunitetin e krahinës sonë, por edhe në mendjen dhe zemrat e të gjithë banorëve të Dibrës, Bulqizës, e më gjerë.
Sipas tij, ishin me qindra burra e gra, të rinj e të reja që u bënë bashkë në betejat kundër pushtuesit në Drenok, në Dibër të Madhe, në Kërçisht e Pocest, Pojskë e Obok të Maqellarës; në përpjekjen për çlirimin e Zerqanit, në Trebisht, në Homesh e në çdo vend tjetër të Dibrës, duke treguar qëndresë të fortë e të pashoqe edhe në mbrojtjen dhe çlirimin e Peshkopisë.
“Sot, pas afro 8 dekadash, e themi me bindje të plotë se lufta e tyre ishte e drejtë, pa shpenzuar asnjë lloj energjie për ideologji të ndryshme, përveç dashurisë që ata kishin për Shqipërinë, për atdheun tonë.”, theksoi Kryetari Alla.
Duke vlerësuar rëndësinë që kanë dëshmorët e kombit, Kryebashkiaku Alla tha se “nëse ne sot jetojmë të lirë në këtë Shqipërinë tonë, me gjithë problemet e shumta që mund të kemi, me të gjitha sfidat që kanë shoqëruar tranzicionin e gjatë politik prej mëse 30 vjeçar, por pa pasur mbi kokë presionin dhe shtypjen e të tjerëve, pa e nisur dhe pa e ngrysur ditën me frikën se çfarë do të sjellin orekset dashakeqe të tyre, kjo është falë trimërisë dhe guximit që treguan dëshmorët dhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke luftuar për të mbrojtur dhe siguruar pavarësinë e hapësirat shqiptare ndër vite. Ne sot ndihemi të detyruar t’i respektojmë sa më denjësisht dëshmorët tanë, duke i mbajtur në mendje e zemër, si hajmali që do të mbrojnë dhe kultivojnë në kujtesën tonë parimet të rëndësishme mbi të cilat duhet të zhvillohet shoqëria jonë moderne.

Ne jemi të detyruar të edukojmë breza, ku mes të tjerash duhet t’u mësojmë që të kthejnë kokën mbrapa e të shohin rrugën që është bërë për të ardhur deri në ditët ku jetojmë. Duhet t’u mësojmë atyre të dinë se nga kanë ardhur e të respektojnë sakrificën e të parëve për të gjitha mirësitë që gëzojnë sot.”

 

AlbaniaUSA