Në një atmosferë festive është festuar 78 vjetori i çlirimit të Zerqanit më 3 gusht 1943.
Bashkia Bulqizë organizoi një festë të posaçme me këtë rast, ku morën pjesë veteranë, familjarë dëshmorësh dhe banorë të ardhur nga zona të ndryshme të saj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryebashkiaku z.Lefter Alla u shpreh se organizimi i këtyre festave është një detyrim që Bashkia Bulqizë pas shumë vitesh po e rikthen në një traditë, për të mos e lënë kurrë vetëm në librat e historisë, por të kujtohen e përjetësohen në memorien e popullit tonë.
Më tej ai u shpreh se Dibranët vlerësojnë dhe do të nderojnë gjithmonë partizanët që iu bashkuan çetës së Grykës së Madhe, anëtarët e së cilës kryen aksione deri në vetmohim, në betejat e përgjakshme të Smollikut, të Zerqanit, të Maqellarës tek Përroi i Pesjakës, të Sofraçanit tek Shkëmbi Hoxhe.
“Nuk mund të harrohen kurrë heroizmat e bijave dhe bijve të kësaj zone që sakrifikuan jetën në betejën në rrugën Dibër-Strugë të 2 shtatorit 1943, apo të luftës së Peshkopisë në Tetorin e këtij viti, të betejave së Llazarapoles e Izvorit. Të tjera beteja që kanë lënë gjurmë në faqet e historisë e që ne nuk duhet t’i lejojmë te mbulohen nga pluhuri i harresës janë Lufta e Parë e Dibrës së Madhe në fundin e tetorit dhe fillimin e nëntorit të vitit 1943, ku ra dëshmor edhe Jashar Kola nga Sopoti, Lufta e Dytë e Dibrës së Madhe më 16- 17 nëntor 1943, Lufta e Zerqanit me 20 nëntor 1943, përplasja e armatosur me gjermanët në Llokëm të Maqedonisë me 3 dhjetor 1943, ku ra dëshmor Ramiz Hyseni, po nga Sopoti.”, tha z.Alla.
Ai vlerësoi se të rinjtë tanë duhet të mësojmë të kthejnë kokën mbrapa e të shohin rrugën që është bërë për të ardhur deri në ditët ku jetojmë, duke ushqyer dhe ruajtur respekt ndaj sakrificës së të parëve tanë për atdheun që gëzojmë.