Gjithçka duhet të dini për sportin në Bulqizë; Nostalgjia dhe suksesi i së shkuarës që po nxit investimet për të ardhmen e sportit bulqizak.
Loja e futbollit në Dibër ka filluar të njihet rreth viteve 1923-1924, e sjellë nga djemtë dibranë, që mësonin në shkolla të ndryshme të vendit, që kur ktheheshin për pushime, merrnin edhe ndonjë top me vete. Në vitin 1928, me iniciativën e nxënësve që studionin në Internat “Dibra” për herë të parë organizuan në pushimet verore një ndeshje futbolli ndërmjet komunës së Homezhit dhe asaj të Maqellarës, në fushen e Çernenës. Ajo përfundoi 1-0 për Homezhin.
Viti 1946: në Zerqan shoqëria sportive “Flaka” ka patur 23 anëtarë dhe 36 miq dhe ka zhvilluar 87 ndeshje lokale. Gjatë gjithë viteve 40-50, Homezhi dhe Shupenza kanë marrë pjesë rregullisht në aktivitetet futbollistike të kohës.
Viti 1951: Ngrihet Këshilli Sportiv në Minierën e Kromit.
Viti 1954: Në Gusht, në Peshkopi u zhvillua spartakiada e parë sportive e fshatrave të qarkut Dibër. Në të morrën pjesë 60 sportistë të rinj nga Burreli, Peshkopia dhe Shupenza.
Rezultatet e ndeshjeve në futboll ishin : Shupenza – Peshkopia 2-0, Burreli – Shupenza 3-2
Po ashtu në Shtator të këtij viti, u zhvillua kampionati i qarkut Dibër në futboll, ku morrën pjesë: Miniera e kromit “Fitore” e Bulqizës, “Spartaku” i Peshkopisë, “Garnizoni” i Burrelit dhe “Puna” e Burrelit.
Viti 1955: Në Shkurt u zhvillua ndeshja miqësore e futbollit: Viçishti – Boçeva 3-0
Në Korrik, në Shupenzë u zhvillua Spartakiada e rinisë me pjesëmarrjen e 135 të rinjve e të rejavae. MNë të morrën pjesë 8 përfaqësues te kolektivave fizkulturore të fshatrave, ku kooperativa Gjoricë zuri vendin e parë.
Në Gusht u zhvillua spartakiada e dytë e qarkut në Peshkopi, ku Shupenza zuri vend të dytë.
Viti 1959: Në Spartakiadën e bujqësisë dhe qendrave të punës, morën pjesë 6 kolektiva.
- Në volejboll në finale: Shupenza – Maqellara 2-0
- Në futboll në finale: Shupenza – Maqellara 1-0
Viti 1960: Në Spartakiadën e rrethit me pjesëmarrjen e 7 lokaliteteve dhe 6 qendrave të punës, vendin e parë e zuri Shupenza, të dytin Maqellara dhe të tretin, Muhurri. Për qendrat e punës fitoi miniera e Bulqizës.
Vitin 1961: Korabi merr pjesë për herë të parë në kategorinë e parë të futbollit. Ne atë kohë në rrethin Dibër kishte 42 fusha volejbolli dhe 36 fusha futbolli.
Miniera e kromit Bulqize mori pjesë rregullisht në kampionatet e qendrave të punës dhe prodhimit.
Ne spartakiadën e këtij viti, në Maj – Qershor, Shupenza renditet e para mes 6 lokalitetesh, ndërsa miniera e Bulqizës e para mes qendrave te punës.
Në Maj të këtij viti, u zhvillua spartakiada në Bulqizë, me pjesëmarrjen e Minierës së kromit, NSHFP, Ofiçinës, Gjeologjisë dhe Repartit 301. Vendin e parë e zuri Miniera e Kromit.
Viti 1964: Krijohet ekipi i futbollit me emrin “Minatori” dhe më vonë emrin e ditës së hapjes së Minierës së Kromit “18 Shkurti” (sot KF.Bulqiza). Ne garat kombëtare filloi të marrë pjesë pas vitit 1966 (fillimisht mes qendrave të punës dhe me pas në kategorinë e tretë).
Rezultatet në rritje fillojnë nga viti 1972 dhe në vijim, nën drejtimin e trajnerit të shquar Sabri Abdiu.
Viti 1966: Krijohet Cirku Amator, me iniciativën e Riza Gjetës, Ekrem Muçës, Njazi Koçit, Sabri Gjetës, Selman Alla, Behar Gjeta etj. Cirku i Bulqizës arriti të jetë ndër trupat më të mirë të vendit, duke dhënë shfaqje në të gjithë vendin.
Viti 1968: Bulqiza merr pjesë për herë të parë në kategorinë e tretë në futboll.
Viti 1977: Në kupën e Republikës në futboll, kooperativa Gjoricë, në eliminatore ka mundur Kukësin dhe Shkodrën dhe është eliminuar në çerekfinale nga Lushnja.
Viti 1978: Futbollistet e Bulqizës kanë bërë një prezantim të hijshëm në kampionatin e kategorisë së dytë për të rinj.
Spartakiada e klasës punëtore u zhvillua në Bulqizë ku SMT-ja e Peshkopisë mundi Minieren e Kromit.
Skiatoret e Klenjës me trajner Fadil Alia, u shpallur kampione kombëtare për femra.
Viti 1979: Në festivalin e 3-të kombëtar të lojërave popullore, zhvilluar në Peshkopi, Zerqani përfaqësoi rrethin duke zënë vendin e tretë.
Ndërkohë, në këtë vit formohet Ekipi i mundjes në Bulqizë nga Mjeshtri i Sportit Qamil Muça dhe mjeshtri Rifat Duka, me dy ekipe pioniere dhe të rinj në stilin e lirë.
Ai mori pjesë për herë të parë në Kampionatin Kombëtar në vitin 1980. Në këto vite u aktivizua si trajner edhe Shefqet Karasani dhe Ivzi Muça.
Viti 1980-81: U zhvillua në Bulqizë, kampionati i mundjes së lirë për të rinj dhe në Ostren për pionierët.
Viti 1982: Ekipi i mundjes për pioniere zuri vendin e dytë në Kampionatin Kombëtar.
Nga vitet 1974 – 1982: Antoneta Koçi, kampione e vendit disa vite në hedhjen e Gjyles dhe pjesëmarrëse në disa gara ndërkombëtare.
Viti 1983: Ekipi i mundjes për të rinj zuri vendin e 6-të në Kampionatin Kombëtar.
Viti 1984: Për të tretin vit në rrethin Dibër u zhvillua gara e hipizmit zonal në Gjoricë dhe Fushë-Çidhën.
Viti 1988: Ekipi i mundjes për pioniere zuri vendin e 3-të, me trajner Rifat Duka.
Që nga vitet 90” me shumë ndërprerje ekipi i futbollit ka marrë pjesë rregullisht në kategorinë e tretë. Trajnerët dhe mësuesit e pasionuar si Sabri Abdiu, Tomor Shahini, Ilir Disha, Rami Hoxha, Artan Greva, Hakik Çekiçi, janë munduar te ngrenë futbollin ne Bulqize.
Që nga viti 2013-2016 ekipi mori pjese në Kategorinë e III me president Shkëlqim Llagaçi.
Në vitin 2019, ekipi, nën kujdesin personal të Kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, është miratuar në Këshillin Bashkiak dhe është rregjistruar në QKB, duke u financuar 100% nga bashkia. Njëkohësisht ekipi u regjistrua në Kategorinë e tretë.
Këtë vit pritet të ndërtohet fusha e futbollit nga FSHF dhe njëkohësisht edhe kalimi historik KF.Bulqiza në Kategorinë e dytë.
Gjithashtu ekipit i kanë dhënë ndihmë një numër biznesmenësh të nderuar.
Në Ostren është riformuar Shoqata e Mundjes “Golloborda”, e cila merr pjesë rregullisht në Kampionatet për të rinj me trajnerin dhe mësuesin e pasionuar Banush Koçi.
2019-2023 Ekipi vazhdon aktivitetin futbollistik ku në ekipin e parë, janë zhvilluar gara te forta dhe me rezultate të mira.
Viti 2024 në këtë sezon ekipi ka shtrirë gamën e aktiviteteve ku janë rregjistruar në Rajonalen e Tiranës dy grupmosha U13 dhe U14. Që të dy grupmoshat janë paraqitur mirë dhe ekipi U14 ka shkuar deri në finale.
Gjithashtu janë shtrirë aktivitetet dhe në lojra të tjera si shahu,ciklizmi etj.
Është zhvilluar kampionati i minifutbollit me sportistët amatorë të qytetit.
Aktualisht Presidente e Sport Klub Bulqiza është znj.Festime Mjeshtri.
Administrator:
Fatri PUCA
0697575864
fatripuca@hotmail.com