Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla ka zhvilluar sot në një takim z.Shevket Erol, Drejtori i Përgjithshëm i Albchrome shpk, aktualisht pjesë e Yilmaden Holding Company. Në takim ishte i pranishëm edhe z.Mikel Demçe, Administrator i Minierës së Kromit Bulqizë.
Gjatë takimit, kryebashkiaku Alla e vlerësoi minierën e Bulqizës si një pasuri kombëtare, tek e cila duhet investuar në disa drejtime. “Miniera është një pasuri e rrallë që ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për Bulqizën, por për të gjithë Shqipërinë.Galeritë e kromit nuk duhen vlerësuar vetëm për pasuritë që burojnë prej tyre, por kërkojnë investime edhe në kushtet e punës së minatorëve. Siguria e jetës së tyre qëndron mbi çdo përfitim tjetër.”, tha ndër të tjera z.Alla.
Nga ana tjetër, z.Erol vlerësoi se Yilmaden Holding është një kompani e njohur ndërkombëtarisht për aktivitetin e saj në miniera, duke vlerësuar sigurinë dhe kushtet e punës së minatorëve si pikën më të rëndësishme të punës brenda galerive. Ai u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Bashkinë Bulqizë, në projekte të ndryshme që ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve.
AlbaniaUSA