Kryetari i Bashkisë, z.Lefter Alla, ka vijuar me dëgjesën publike me të rinjtë e qytetit, e zhvilluar kjo në kuadër të diskutimeve që po bëhen rreth projekt-buxhetit të vitit 2022.

Gjatë fjalës së tij, z.Alla siguroi pjesëmarrësit se çdo kërkesë apo sugjerim i kujtdo qoftë, nga Martaneshi apo Shupenza, nga Ostreni, Trebishti a Zerqani, apo nga Bulqiza, Fushë-Bulqiza e Gjorica, do të vlerësohet me seriozitet dhe vëmendje të shtuar, duke u përpjekur për të adresuar zgjidhje brenda të gjitha mundësive.

Duke vlerësuar rolin e të rinjve në shoqëri, z.Alla u shpreh se “kur bëhet fjalë për të rinjtë, përgjegjësia është akoma e më e madhe. E them këtë sepse ne sot kemi nevojë që t’ju mbajmë këtu, ku pasi të keni studiuar, të ktheheni, të punoni e të investoni në Bulqizë përmes të gjithë kapitalit tuaj intelektual dhe profesional. Është pikërisht kjo gjë që na nxit akoma më shumë drejt detyrimit tonë për ta kthyer Bulqizën në bashkinë që duam. Ne duam që qyteti ynë të jetë vatra e përbashkët, ku gjithsecili të mund të ushtrojë profesionin e tij.”

Në lidhje me planet e tij për pasurimin e jetës sociale të qytetit dhe rritjen e partneritetit me moshat e reja, kryebashkiaku Alla vlerësoi se krahas nxitjes së projekteve start-up, ku bashkia do të mbështesë çdo iniciativë rinore për t’u zhvilluar në dimensione të ndryshme, qofshin këto biznese, guida turistike, apo ide që kërkojnë mbështetje, ai dhe të gjitha drejtoritë e bashkisë do të përpiqen të pasurojmë jetën sociale dhe kulturore të qytetit, si një domosdoshmëri kjo për shoqërinë e ditëve tona.

“Së bashku me kolegët e bashkisë kemi planifikuar një sërë aktivitetesh të tilla, për realizimin e të cilave tashmë kemi pothuajse të përfunduar edhe pallatin e kulturës. Punimet për fushën e sportit, edhe pse me vonesa të shumta deri më sot, këto për shumë arsye ku edhe ne kemi përgjegjësinë tonë, po ecin me ritme të shpejta dhe besoj se në pranverën e ardhshme do të jetë e gatshme që KF Bulqiza t’i zhvillojë ndeshjet këtu, mes sportdashësve të qytetit tonë.”, tha ndër të tjera z.Alla

AlbaniaUSA