Njoftim për aplikim për marrjen në pronësi të sipërfaqeve në zonat zhvillimore të miratuara me VKM nr. 202, datë 26.03.2026, në territorin e Bashkisë Bulqizë
Në mbështetje të ligjit nr. 139/2015 ‘Për Vetëqeverisjen Vendore’, të ligjit nr. 44/2015 ‘Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, të ligjit nr. 20/2025, datë 13.03.2025 ‘Për Paketën e Maleve’, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 202, datë 26.03.2026 ‘Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore në Bashkinë Bulqizë’, si dhe Udhëzimit Nr. 1608, datë 02.04.2026 “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për mënyrën e paraqitjes së aplikimit dhe procedurën administrative për njohjen si posedues jopronar” të kryetarit të Bashkisë Bulqizë.
Bashkia Bulqizë fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë dhe të dorëzojnë dokumentacionin për të përfituar nga Paketa e Maleve në zonat e shpallura me përparësi zhvillimore, të cilat shtrihen në njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë.
1. Zona 1, Njësia Administrative Martanesh (sip. 15,184 ha), e cila përfshin fshatrat: Gjon, Ndërfushas, Lenë, Peshk, Stavec, Melcë dhe Val.
2. Zona 2, Njësia Administrative Zerqan (sip. 5,400 ha), e cila përfshin fshatrat: Peladhi, Godvi, Krajkë, Zerqan, Sofraçan, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël, Strikçan, Zall-Strikçan, Sopot, Zall-Sopot dhe Valikardhë.
3. Zona 3, Njësia Administrative Fushë-Bulqizë (sip. 3,362 ha), e cila përfshin fshatrat: Fushë-Bulqizë, Dragua, Dushaj dhe Koçaj.
4. Zona 4, Njësia Administrative Shupenzë (sip. 2,601 ha), e cila përfshin fshatrat: Kovashicë, Bllacë, Zogjaj, Gjuras, Shtushaj dhe Mazhicë.
5. Zona 5, Njësia Administrative Gjoricë (sip. 2,459 ha), e cila përfshin fshatrat: Gjoricë e Sipërme, Gjoricë e Poshtme, Viçisht, Lubalesh, Çerenec i Poshtëm dhe Çerenec i Sipërm.
6. Zona 6, Njësia Administrative Ostren (sip. 3,854 ha), e cila përfshin fshatrat: Kojavec, Lejçan, Orzhanovë, Ostren i Madh, Radovesh, Lladomericë, Pasinkë dhe Tërbaç.
7. Zona 7, Njësia Administrative Bulqizë (sip. 443 ha), e cila përfshin fshatin Vajkal nr. 1.
8. Zona 8, Njësia Administrative Trebisht (sip. 703 ha), e cila përfshin fshatin Klenjë.
Aplikimi kryhet online në portalin e-Albania, në shërbimin ‘Aplikim për Paketën e Maleve’.
Dokumentet që mund të ngarkohen nga aplikanti janë:
• Projekti infrastrukturor;
• Dokumentacion tatimor për aktivitetin ekonomik mbi pronën;
• Fatura të shërbimeve të lidhura me pronën;
• Deklarata ose dëshmi nga banorët dhe autoritetet vendore që konfirmojnë përdorimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë të pronës për të paktën 10 vjet;
• Fotografí, ortofoto ose prova të tjera materiale që vërtetojnë posedimin, si dhe dokumentacion që provon lidhjen me pasurinë.
Hapat e procedurës së aplikimit:
• Identifikohuni në portalin e-Albania si biznes ose qytetar;
• Zgjidhni shërbimin ‘Aplikim për Paketën e Maleve’;
• Klikoni butonin ‘Përdor’;
• Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme dhe ngarkoni dokumentacionin përkatës;
• Klikoni butonin ‘Dërgo’ në fund të formularit;
• Punonjësi i institucionit merr në shqyrtim aplikimin për njohjen tuaj si posedues ose jo i zonës së përzgjedhur.
Dokumentacioni i paraqitur i nënshtrohet verifikimit administrativ dhe verifikimit në terren.
Procedura përfshin:
1. Njoftimin publik dhe shqyrtimin e pretendimeve nga palët e treta;
2. Verifikimin e dokumentacionit dhe të gjendjes faktike në terren;
3. Paraqitjen e kërkesave që plotësojnë kriteret ligjore pranë Këshillit Bashkiak për miratim.
Ky proces synon qartësimin e statusit të posedimit, rritjen e sigurisë juridike dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Bulqizë.
Për çdo paqartësi, nevojë për asistencë gjatë procesit të aplikimit, si dhe për informim mbi kriteret dhe procedurat, qytetarët janë të mirëpritur pranë Bashkisë Bulqizë, ku është ngritur grupi teknik i punës për verifikimin dhe shqyrtimin e kërkesave dhe dokumentacionit të poseduesve jopronarë.
Për këtë qëllim, mund të paraqiteni pranë zyrave të Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave të Bashkisë Bulqizë.
