U zhvilluam mbledhja e parë për vitin 2024 e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike, ku u diskutuan një sërë çështjesh lidhur me sigurinë vendore dhe planifikimin e përbashkët të burimeve në dispozicion.
Në këtë takim u dakortësua se në përputhje me Planin e Pastrimit Kombëtar, skuadrat e pastrimit dhe gjelbërimit të BashkisëBulqizë do të jenë në aksion çdo të premte për pastrimin e vendit deri te hapësirat periferike. Po ashtu, u diskutuan dhe u propozuan aksione konkrete lidhur me qarkullimin rrugor, ku do të shtohen masat me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe garantimin e rendit publik.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte kultivimi i lëndëve narkotike, për të cilën Bashkia ka aktivizuar dhe mbledhur edhe më herët të gjitha strukturat përgjegjëse, për të diskutuar koordinimin e punëve në nivel vendor dhe qendror. E rëndësishme dhe prioritare ishte edhe diskutimi për hapjen e tregut të produkteve bujqësore, si dhe për punën që mund të bëhet për të lehtësuar qasjen e tregtarëve në këtë hapësirë funksionale dhe të domosdoshme, veçanërisht për sigurinë e produkteve të tregtuara.