#557vjetori i betejës së parë të #Vajkalit ka sjellë në Bulqizë një grup arbëreshësh nga Italia, të cilët u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh të organizuara në kuadër të kësaj dite.
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla, i shoqëruar nga deputetët e Qarkut Dibër znj.Aurora Mara, z.Lavdrim Krrashi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut znj.Valentina Haliti, dhe drejtues të tjerë vendorë, mirëpritën në mjediset e Bashkisë
Znj. Rosaria Capparelli, Kryetare e Komunës San Benedetto Ullano;
z. Antonio Andreola, Zv./Kryetar i Komunës Casalvecchio di Puglia, dhe
Z.Loris Castriota Skanderbegh, pasardhës i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Aktivitetet vijuan më tej në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku Kryebashkiaku Alla, ndër të tjera e vlerësoi këtë event si një ndër më të rëndësishmit të organizuar në Bashkinë Bulqizë. “Nga njëra anë përkujtojmë aktet historike të betejës së Vajkalit, nga ana tjetër, na nderojnë me praninë e tyre në Bashkinë tonë përfaqësues të njërës prej diasporave më të veçanta në botë, e cila, edhe pas shumë shekujsh, ka mundur të ruajë me fanatizëm origjinën e saj, duke i dalë për zot përpjekjes shumë shekullore të trimave shqiptarë dhe gjakut të tyre, të derdhur për kauzën më të shtrenjtë, mbrojtjen e lirisë së atdheut.”
Kryetari Alla theksoi se arbëreshët kanë ditur se si gjatë periudhës tashmë 5 shekullore në Itali, të formojnë një fizionomi të tyren në lëmin e kulturës, të artit dhe të letërsisë. “Prej tyre kanë dalë poetë e studiues të shquar të përmasave evropiane, si Jeronim Derada, Vinçenc Dorsa, Zef (Giuseppe) Skiro Senior, të cilët mbeten figura të mëdha mendimtare, politike e kulturore të rilindjes shqiptare në shek. XIX. Ky komunitet në tërësi, këta burra të shquar arbëreshë, veprat e tyre, jeta e puna që kanë bërë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën arbëreshe, meritojnë respekt dhe mirënjohje të pakufishme nga vendi mëmë.”, tha ai ndër të tjera.
Aktiviteti vijoi edhe me një program artistik të organizuar nga Bashkia Bulqizë dhe disa pjesë të luajtura nga arbëreshët.