Arsimtarë e arsimdashës, përfaqësues të pushtetit lokal dhe qytetarë të Bulqizës u mblodhën sot në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Bulqizë me rastin e 7 marsit, festës së mësuesit.
Në këtë aktivitet, me moton “Një mësues i madh kap një dorë, hap një mendje dhe prek me zemër”, u vlerësua kontributi në edukimin e shumë brezave në Bulqizë i 18 mësuesve që kanë dalë në pension gjatë tre viteve të fundit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryebashkiaku z.Lefter Alla vlerësoi figurën e mësuesit si të pazëvendësueshme për rolin që ka në shoqëri.
“Dy-tre vitet e fundit kanë qenë vite të vështira për mbarë shoqërinë globale. Vite pandemie të mbushura me frikë dhe paqartësi se ç’mund të sillte e nesërmja për gjithkënd. Por ju, me shumë sakrificë dhe përkushtim, e treguat edhe njëherë shenjtërinë e këtij profesioni. Me një përgjegjshmëri të pashoqe, e vazhduat punën duke rrezikuar gjithçka tuajën.
Ndaj, më lejoni që sot, me rastin e 7 marsit të shpreh mirënjohjen time ndaj gjithsecilit nga ju, ndaj mësuesve të mi nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollimit tim, për çdo sakrificë që keni treguar dhe dashuri që keni përcjellë.”, tha ai ndër të tjera.
AlbaniaUSA