Bashkia Bulqizë jep titullin “Qytetar Nderi i Bulqizës” pas vdekjes për Fatmir Ahmet Beqirin.
Ceremonia u organizuar në Pallatin e Kulturës së qytetit, në prani të familjarëve, të afërmve dhe shumë figurave intelektuale nga Bulqiza, por jo vetëm. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Z.Lefter Alla u shpreh se do të dëshironte që këtë ccmim t’ia dhuronte vetë atij dhe në këtë ditë të shënuar t’i uronte edhe ditëlindjen, duke e falenderuar për gjithë kontributin që ka dhënë për komunitetin. “Fatmiri është i disati emër që ne po vlerësojmë me titullin ‘Qytetar Nderi’, por figurën e tij e përkujtojmë sot në një moment krejt ndryshe, në 75 vjetorin e lindjes e duke mos e pasur pranë, për t’i uruar ditëlindjen dhe për ta falënderuar miqësisht për gjithçka që ka bërë ndër vite për Bulqizën.”, tha kryetari Alla.
Më tej ai theksoi faktin se Fatmir Ahmet Beqiri është ndër ata figura intelektuale të Bulqizës, i cili do të kujtohet ndër breza për dy gjëra kryesore.
“Së pari, fatmirësisht ai u trashëgoi familjarëve të tij dhe gjithë komunitetit bulqizak korrektësinë, sinqeritetin dhe përkushtimin maksimal ndaj punës, ku për vite me radhë, la gjurmë në çdo sektor minerar ku punoi, duke u kthyer në një burim frymëzimi për shumë kuadro të tjerë të minierës.
Së dyti, fatkeqësisht, ishte nga ata figura intelektuale që u përball me padrejtësi sa të regjimit totalitar të para vitit 1990, po aq edhe të atij postkomunist. Faktet që shoqërojnë jetëshkrimin e tij na i tregojnë më së miri këto dy anë të medaljes.” u shpreh ndër të tjera Kryetari i Bashkisë, z.Alla.
Duke iu drejtuar familjarëve dhe të afërmve të Fatmir Beqirit, kryetari Alla tha se ata duhet të jenë krenar për njeriun e tyre të shtrenjtë, i cili në çdo moment të karrierës së tij, diti si të shkëlqejë jo vetëm me profesionalizëm, por edhe me karakterin human që e karakterizonte, për të përçuar dijet e tij tek njerëzit që e rrethonin.

AlbaniaUSA