Bashkia Bulqizë ka përkujtuar përpjekjen dibrane kundër pushtuesve serbë 1912-1921.
Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Lefter Alla, veteranë dhe intelektualë të Bulqizës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Alla vuri theksin në rëndësinë e përkujtimit të këtyre ngjarjeve, si një domosdoshmëri jo vetëm për të skalitur në kujtesën e popullit tonë vetëm momentet historike që shënojnë lirinë e atdheut, por edhe për të respektuar sa më denjësisht dëshmorët tanë. “Sot është detyrë e jona të skalisim në kujtesën e popullit tonë jo vetëm momentet historike që shënojnë lirinë e atdheut, por edhe të respektojmë sa më denjësisht dëshmorët tanë, duke i mbajtur në mendje e zemër, si hajmali që do të mbrojnë dhe kultivojnë në kujtesën tonë parime të rëndësishme mbi të cilat duhet të zhvillohet shoqëria jonë moderne. Ne duhet të edukojmë breza, ku mes të tjerash t’u mësojmë që të kthejnë kokën pas e të shohin rrugën që është bërë për të ardhur deri në ditët ku jetojmë.”, tha kryetari Alla.
Teksa bërë një kronologji të luftës 9 vjeçare, kryebashkiaku Alla solli në vëmendje trimërinë e shumë patriotëve shqiptarë, të cilët sipas tij, edhe pse me armë nga më modestet për kohën, mbrojtën vatanin e tyre përballë ushtrive serbe e malazeze, të pajisura me armatimet më bashkëkohore të asokohe. “Historia jonë do të shënojë me germa të arta betejat heroike të dibranëve me 5 krajlat e Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Jugosllavisë së asaj kohe, mbretërisë serbo-kroate-sllovene. “, u shpreh z.Alla.
Më tej, kryebashkiaku u shpreh se “Sot, pas mëse një shekulli, e themi me bindje të plotë se lufta e këtyre mijëra bijve e bijave të Dibrës ishte e drejtë, pa shpenzuar asnjë lloj energjie për ideologji të ndryshme, përveç dashurisë që ata kishin për atdheun. E nëse ne sot jetojmë të lirë në këtë Shqipërinë tonë, kjo është falë trimërisë dhe guximit që treguan këta njerëz të sakrificës, të cilët lirinë e kishin busull për jetën e tyre.”.
Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Turizmit, Rinisë, Sportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.