Organizohet “PANAIRI I PRODUKTEVE BIO” dhe “BULQIZA PUNON TOKËN”.

Me praninë e Prefektit të Qarkut Dibër z.Nexhbedin Shehu dhe Kryetares së Këshillit të Qarkut Dibër znj.Valentina Haliti Doda, përfaqësuesve të pushtetit vendor, dhjetëra qytetarëve dhe fermerëve nga e gjithë Bulqiza u organizua sot “PANAIRI I PRODUKTEVE BIO” dhe “BULQIZA PUNON TOKËN”.

Panairi u zhvillua në tregun e ri të rikonstruktuar të Shupenzës, ku ndaj produkteve më të mira nga të gjitha njësitë administrative të bashkisë tonë pati një interes të jashtëzakonshëm.

Kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla u shpreh se mbështetja e bujqësisë do të jetë nga prioritetet e punës së tij. “Shumë shpejtë, me hapjen e rrugës së Arbrit dhe asaj Ura e Çerenecit-Zgosht (Librazhd), mjalti, jufkat, bulmeti, frutat e perimet e zonës, të gjitha BIO, do t’i serviren jo vetëm tregut lokal, por edhe atij kombëtar e rajonal.”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut Alla, qindra kilometra kanale ujitëse të hapura dhe ndërtuara gjatë këtyre dy viteve dhe politikave për të mbështetur bujqësinë po japin rezultate konkrete. Ai u shpreh se “Prodhuar në Bulqizë” do të jetë brandi i produkteve më cilësore BIO, që së shpejti do të gjenden në tregjet kombëtare, rajonale e më gjerë.

AlbaniaUSA