Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit,
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla organizoi një takim me mësues e arsimdashës nga Bulqiza. Gjatë fjalës së tij, z.Alla vlerësoi 24 Janarin si një nga datat shumë të rëndësishme, e cila sipas tij, përsa i përket rëndësisë dhe mesazhit që mbart i kapërcen të gjitha dimensionet lokale e rajonale. “Ajo i drejtohet çdo aktori social e politik brenda një shoqërie, individit, familjes, organizatave të ndryshme, qeverisë e agjencive qeveritare, e gjithçkaje tjetër.”, tha ndër të tjera Z.Alla.
Sipas tij, 24 janari është një mesazh i hapur për qeveritë e çdo vendi, për rëndësinë që ato duhet t’i kushtojnë arsimit, si e vetmja mënyrë për të përqafuar progresin e gjithanshëm, që lidhet me paqen, përparimin dhe zhvillimin global. Janë pikërisht qeveritë ato të cilat garantojnë modelet e një arsimi solid e gjithëpërfshirës, e që mbajnë përgjegjësinë kryesore në këtë drejtim, duke mos pasur për asnjë çast të drejtën e të gabuarit, pasi pasojat mund të jenë të parikuperueshme, tha ai.
“Sot, në fakt jam shumë i lumtur për reformat që qeveria shqiptare po ndërmerr në këtë drejtim, duke e vënë arsimin në krye të prioriteteve të punës së saj. Gjithnjë e më shumë, profesioni i arsimtarit po vlerësohet në të gjitha dimensionet. Në mund të ecim përpara vetëm duke e konsideruar arsimin si një të drejtë njerëzore, një të mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.”, theksoi kryebashkiaku Alla.
AlbaniaUSA