Dr.Edmond Puca shpallet Qytetar Nderi i Bulqizës.

Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” z.Edmond Puca.

Titulli i nderit iu dha Dr.Edmond Puca në prani të familjarëve të tij, përmes një ceremonie të organizuar nga Bashkia Bulqizë, ku morën pjesë Kryetari z.Lefter Alla, Kryetari i Këshillit Bashkiak z.Gëzim Xhafa, Deputeti i qarkut Dibër z.Halil Jakimi dhe figura intelektuale të qytetit.

Titulli “Qytetar nderi” u dha me motivacionin “për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga covid-19”

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Alla u shpreh se ndihej krenar teksa promovonte emra intelektualë të Bulqizës, të cilët lënë gjurmë përmes kontributit të tyre në shoqëri.

“Dr.Puca shquhet për një karrierë të gjatë në sektorin e shëndetësisë, duke kontribuar sa në angazhimin profesional në ndihmë të pacientëve nëpër spitale, po aq edhe për produktin shkencor që ka ofruar në këtë drejtim. Ai tashmë është nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare, ku përmes pjesëmarrjeve në konferenca shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, publikimeve të shumta në periodike vendase dhe të huaja, ka arritur të përfaqësojë denjësisht shkencën shqiptare. Padyshim që unë si Kryetar i Bashkisë ndihem krenar për dr.Mondin, i cili me punën dhe përkushtimin e tij është kthyer në një pikë motivimi për shumë të rinj bulqizak. Është detyra jonë të vlerësojmë dhe promovojmë siç duhet kapacitetet intelektuale të bashkive, qoftë për t’u dhënë atyre vlerësimin e merituar, po ashtu edhe për të zhvilluar vizionin e brezave drejt arritjes së suksesit. Shembulli i dr.Mondit është nga rastet e veçanta për të treguar se për më të mirët gjithmonë ka perspektivë. Nuk mjafton të lindësh dhe rritesh në qendër të metropoleve për të qenë i suksesshëm në jetë. Mjafton vullneti dhe dëshira e mirë për të punuar dhe ecur përpara, dhe suksesi do të jetë i garantuar për gjithkënd.”, u shpreh z.Alla.

Figura e Dr.Edomond Pucës u vlerësua edhe nga Kryetari i Këshillit Bashkiak z.Xhafa, Deputeti Jakimi dhe të tjerë të pranishëm në ceremoni.

Vetë z.Puca shprehu falënderime dhe mirënjohje ndaj Këshillit Bashkiak Bulqizë për titullin që iu dha, duke e vlerësuar atë si një shtysë për angazhime të mëtejshme profesionale dhe humane.

AlbaniaUSA