Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla ka pritur në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, Shkëlqesinë e Tij Z.Dancho Markovski.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e Bashkisë, Kryetari Alla vlerësoi marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke vënë theksin në shkëmbimet që kanë ekzistuar prej shumë vitesh midis bashkive dhe komunave pranë zonave kufitare të dy vendeve.
Më tej, z.Alla vuri në dukje se pavarësisht shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit që ka pasur gjatë këtyre viteve, ekzistojnë edhe shumë mundësi të tjera, të cilat mund ta zgjerojnë nivelin e këtij bashkëpunimi.
Interesin e kryebashkiakut Alla për binjakëzim midis Bashkisë Bulqizë dhe komunave të vendit fqinj, Ambasadori Markovski e vlerësoi si shumë të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit dy palësh të mëtejshëm.
Nga ana e tij, Ambasadori Markovski shprehu gatishmërinë për të kontribuar në zgjerimin e nivelit të shkëmbimeve tregtare dhe promovimin e turizmit në dy anët e kufirit. “Vetëm gjatë këtij viti ka pasur rreth 420 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por, pavarësisht marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis vendeve tona, ka ardhur momenti për të hedhur hapa konkrete mbi projekte konkrete.”, tha ndër të tjera Ambasadori Markovski. Ai shprehu nevojën e një angazhimi më të madh të vendit të tij në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve në zonën e Gollobordës, gjë kjo që duhet të burojë nga mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe marrëveshjet bilaterale.
Gjatë bisedës, Ambasadori Markovski tha se së shpejti do të ndërmjetësojë një takim midis Kryebashkiakut Alla me Ambasadorin i BE-së në Shqipëri, z.Luigi Soreca, me qëllim hulumtimin e projekteve që mund të implementohen në territorin e Bashkisë Bulqizë.
Më pas, Kryetari Alla ka shoqëruar ambasadorin Markovski në mjediset e Bashkisë dhe më tej zhvilluan së bashku një vizitë edhe në minierën e kromit.
Kryetari Alla u shoqërua në këtë takim nga Kryetari i Këshillit Bashkiak z.Gëzim Xhafa, tre administratorët e njësive administrative në kufi me Republikën e Maqedonisë së veriut, Trebisht, Ostren dhe Gjoricë, si edhe nga drejtues të disa drejtorive në bashki.