Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla ka vlerësuar me certifikata mirënjohjeje mësues nga të gjitha njësitë administrative.
Në një ceremoni simbolike të organizuar me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesit, Kryetari Alla falenderoi mësuesit pjesëmarrës për kontributin që kanë treguar gjatë gjithë karrierës së tyre në edukimin dhe arsimimin e brezave të njëpasnjëshëm. “Në këtë ditë të shënuar ne i kemi të freskëta sakrificat e mëdha që janë bërë në rrugën e dijes. Sot, më shumë se kurrë, dua të vlerësoj figurën e mësuesve, jo vetëm për rolin dhe kontributin që ka pasur në shoqërinë tonë gjatë gjithë historisë, por edhe për sakrificën e madhe që kanë bërë prej mëse një viti, në kushte shumë të vështira pandemie. Me një përkushtim të pazakontë, edhe pse në shumë raste në kushte jo të barabarta me të tjerë mësues në vende të ndryshme të botës, mësuesit tanë kanë punuar me zemër për të mos i lënë fëmijët të humbasin në rrugën e dijes.”, tha z.Alla ndër të tjera.
Nga ana tjetër, Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Turizmit, Rinisë, Sportit, Teknologjisë së informacionit dhe Komunikimit”, znj.Ledjana Gjoka shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë stafet pedagogjike në të gjitha institucionet arsimore të Bashkisë, duke i vlerësuar ata si simbole të sakrificës dhe përkushtimit.