Në një atmosferë festive, Luiza Gega, kampionia jonë në Evropianin e Atletikës që u mbajt në Munih të Gjermanisë është vlerësuar sot me titullin “Qytetare Nderi e Bulqizës”.
Luiza Gega u prit fillimisht nga Kryebashkiaku Lefter Alla në mjediset e Bashkisë, për të vijuar më tej me ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kulturës së qytetit.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin Prefekti i Qarkut Dibër z.Nexhbedin Shehu, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër, znj.Valentina Haliti Doda, Kryetari i Këshillit Bashkiak, z.Gëzim Xhafa, trajneri Taulant Stërmasi, Deputeti Lavdrim Krrashi, gazetari i mirënjohur Defrim Methasani, aktori me origjinë shqiptare që ka luajtur rolin e Skënderbeut në shumë filma, Xhevat Lumani, të afërm të Luizës dhe shumë simpatizantë të saj.
Të pranishmit e vlerësuan kampionen shqiptare si një nga emrat më të rëndësishëm të sportit të dalë nga Bulqiza, dhe si një burim frymëzimi për shumë të rinj e të reja që dëshirojnë të arrijnë majat e suksesit.
Në fjalën e tij, Kryebashkiaku Alla u shpreh se “ky rezultat kurorëzoi suksesin e një sportisteje shqiptare të një niveli botëror, e cila me shumë këmbëngulje, përkushtim dhe siç ndodh jo shumë shpesh, me shumë atdhedashuri, prej shumë vitesh ia ka dalë të kthehet në një fenomen të atletikës që po dominon jo vetëm në rajon, por edhe në kompeticionet evropiane dhe botërore. Rezultatet e saj, medaljet e arit dhe rekorded që ka arritur në garat ballkanike dhe të tjera ndërkombëtare, e kanë kthyer Luizën në një nga ambasadoret më të mira të Shqipërisë nëpër botë.”
Z.Alla theksoi se “ishin më pak se dhjetë minuta vrapim, që mbartnin më vete shumë mund, djersë, sakrificë, durim dhe sfilitje, që jo vetëm shënuan një sukses si kurrë më parë për atletikën shqiptare në arenën ndërkombëtare, por edhe ringjallën besimin e shumë të tjerëve, vajzave dhe djemve të talentuar në disiplina të ndryshme, SE PO, edhe ne shqiptarët mund t’ia dalim.”
Vetë Luiza u shpreh se sot është një ditë shumë e veçantë për të. “Unë gjithmonë kam qenë krenare që jam nga Dibra dhe mundohem ta shpreh këtë. Edhe pse është e vogël, është me shumë vlera dhe bujare. Ka shumë karakteristika si vend që të bën të mburresh. Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar.”, vijoi Luiza Gega.
Në fjalën e saj ajo vijoi: “Sot ndihem më e emocionuar se kurrë. Vendlindja të jep emocione të jashtëzakonshme. Pjesëmarrja juaj këtu është shumë domethënëse për mua. Unë kurrë nuk mendoja se mund të arrija në majat e Evropës, por doja të përmirësoja veten dhe ta bëja punën time sa më mirë, gjë që më çoi këtu ku jam. Jam shumë e lumtur se u kam treguar të gjithëve se vërtet mund të vijmë nga një vend i vogël, por nëse punojmë, ne mund t’ia dalim të arrijmë në majat e suksesit.
Unë vërtet kam marrë shumë vlerësime në vend, por ky është vërtet nga më emocionuesit. Gjithmonë e kam thënë që jam krenare që jam dibrane. Ne jemi një vend me shumë vlera. Kjo bujari dhe këto vlera që gjallojnë këtu nuk gjenden në asnjë vend tjetër.”
Prefekti i Qarkut Dibër z.Nexhbedin Shehu tha se suksesi i Luiza Gegës është një gëzim shumë i madh për të gjithë, pasi mes nesh kemi një shembull konkret, të lindur në Bulqizë dhe që bëri krenar të gjithë kombin shqiptar. “Jo të gjithë mund të jenë kampionë, por ne si pushtet vendor duhet pa përcjellim shembullin e Luizës tek të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Bulqizës.”, vijoi z.Shehu në fjalën e tij.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër znj.Valentina Haliti ndër të tjera tha se e kishte pritur me shumë dashamirësi vendimin e këshillit bashkiak, vendim ky që sipas saj i jep një tjetër vlerë këtij titulli.
Deputeti i Dibrës z.Lavdrim Krrashi theksoi se në një ditë si kjo fjalët nuk kanë forcë dhe emocionet janë të papërshkrueshme të flasësh para kampiones së Evropës, Luiza Gega. “Një vajzë e re me vullnet të jashtëzakonshëm. Okshtuni, Bulqiza, Dibra dhe e gjithë Shqipëria kanë një arsye shumë të madhe për të qenë krenar.”, vijoi ai.
Nga ana tjetër, trajneri Taulant Stërmasi, ndër të tjera tha se “Luiza në fakt është rast për tu studiuar. Luiza do të respektohet për punën që bën dhe si trajner prej 22-vjetësh, nuk kam parë askënd që ti afrohet standardeve të Luizës. Ne shpesh marrim raste, etalione të gabuara. Luiza arrin të tejkalojë veten dhe është rasti më i mirë që tregon se njeriu me punë arrin çdo gjë. Sa lart do shkojë është luftë e madhe me veten, por fillimisht duhet të krenojë veten dhe më pas ne të tjerëve.”
Trajneri Taulant Stërmasi, me vendim të Këshillit Bashkiak u vlerësua me “Mirënjohjen e Qytetit”.
Xhevat Lumani, aktori i njohur me origjinë nga Struga që ka luajtur rolin e Skënderbeut në shumë filma, erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Bulqizë, enkas për këtë ceremoninë. Ai e vlerësoi atë Luiza Gegën si “Mbretëreshën e Flamurit Shqiptar”.
Ndërkohë, Defrim Methasani, i cili drejtoi edhe ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kulturës, vlerësoi Bulqizën si një vend që nuk ka vetëm pasuri nëntokësore, por edhe përfaqësues dhe yje të sportit shqiptar që e kanë përfaqësues vendin tonë denjësisht në kompeticionet ndërkombëtare.
AlbaniaUSA