Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” mjeken e njohur Alma Cani.

Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” mjeken e njohur Alma Cani.

Në një ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës së qytetit, me pjesëmarrjen e shumë emrave të njohur nga arti, kultura, media, politika, akademia dhe shumë të afërmve e kolegëve të saj, Dr.Alma Cani, mori titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin “ Për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19”.

Pjesëmarrës në takim qenë emra të njohur për publikun si Agron Llakaj, Adriatik Alimadhi, Ulsi Manja, et., të cilët ndanë me të pranishmit mbështetjen që Dr.Cani u kishte dhënë gjatë periudhës kur kishin qenë të infektuar me Covid-19. Të tjerë emra si Tritan Shehu, Ardit Gjebrea, Inva Mula, Zala Çela, Manjola Nallbani etj., përmes video-mesazheve vlerësuan kontributin dhe mbështetjen e Dr.Canit gjatë përballimit me sëmundjen.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla e vlerësoi figurën e Dr.Canit si një vlerë jo vetëm për Bulqizën, por për të gjithë Shqipërinë. “Aftësitë e saj profesionale, të bëra bashkë me humanizmin që e karakterizon atë, u kthyen në shpresë dhe shërim për gjithkënd që iu drejtua qendrave spitalore ku ajo angazhohej, kryesisht në reanimacionin pranë klinikës së kirurgjisë në Spitalin Universitar Shefqet Ndroqi.”, vijoi më tej z.Alla.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe figurën e babait të znj.Cani, mjekun e njohur Dr.Mehdi Cani. “E sigurisht, nuk mund të ndodhte ndryshe, kur doktoreshë Alma ishte edukuar nga dy prindër të mrekullueshëm, nga një baba si Mehdi Cami, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e qendrës shëndetësore në Bulqizë që në vitet 1950-1960, e që më pas arriti të hapte dhe organizonte edhe pavijonet e pediatrisë, kirurgjisë, infektivit e tjerë. Mirënjohje të thellë edhe për Dr.Mehdiun, i cili edhe sot e kësaj dite kujtohet si një nga mjekët më të mirë që kemi pasur në qytetin tonë, por edhe në Peshkopi ku shërbeu për vite me radhë.”, tha ndër të tjera z.Alla.

Vetë Dr.Alma Cani e vlerësoi titullin “Qytetar Nderi” si më të rëndësishmin që ka marrë gjatë gjithë karrierës së saj. Teksa falënderoi Këshillin Bashkiak Bulqizë, Kryebashkiakun Alla dhe të gjithë të pranishmit për emocionet që përcollën gjatë ceremonisë, Dr.Cani u shpreh se ky titull do të shërbejë si një burim motivimi për t’iu përkushtuar edhe më shumë profesionit të saj, në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish

Nis projekti për kanalizimin e ujërave të zeza në Qytetin e Vjetër.

Nis projekti për kanalizimin e ujërave të zeza në Qytetin e Vjetër.
Kryetari i Bashkisë z.Lefter Alla ka inspektuar nga afër punimet e këtij projekti, të cilin ai e vlerëson si një nga më të të rëndësishmit për banorët e Bulqizës.

Kanalizimi i ujërave të zeza po realizohet për herë të parë që nga ndërtimi i qytetit, një nevojë kjo emergjentë për shëndetin e komunitetit.

Vetë z.Alla e ka patur pjesë të prioriteteve të tij dhënien zgjidhje të kanalizimit të ujërave të zeza, i cili deri më tani ka qenë një nga problemet e qenësishme për të gjithë qytetin.

Ky projekt, një ëndërr e kahershme e qytetarëve tanë do të shërbejë sa për higjienën dhe pastërtinë e qytetit, po aq edhe për pastrimin e kënetës midis dy lagjeve. Realizimi i tij do t’i hapë rrugë ndërtimit të një parku të madh midis dy qyteteve, me një liqen me ujë të pastër, të rrethuar me gjelbërim, kënde lojërash për fëmijë, fusha të mbyllura futbolli e lojërash me dorë për të rinjtë dhe gjithë qytetarët tanë.

Në fazën finale të konkurseve të hapura në kuadër të javës olimpike, u finalizua sot kampionati i volejbollit.

Sot u finalizua kampionati i volejbollit🏐
Një ndeshje që dhuroi emocione të bukura, ku u përballën në finale skuadra e nxënësve të gjimnazit Arbëria përballë skuadës së nxënësve të gjimnazit Rifat Manjani. 🙌
Fituese e kësaj përballje ishte skuadra e shkollës “Rifat Manjani” Shupenzë. 🏆
Në kuadër të javës olimpike ky kampionat u zhvillua me pjesëmarrjen e shkollave të Bashkisë Bulqizë.

Sportet mbeten një hapësirë argëtimi cilësore për të gjithë dhe është gjithmonë vlerë të investosh në zhvillimin e tyre. 

Dr.Edmond Puca shpallet Qytetar Nderi i Bulqizës.

Dr.Edmond Puca shpallet Qytetar Nderi i Bulqizës.

Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” z.Edmond Puca.

Titulli i nderit iu dha Dr.Edmond Puca në prani të familjarëve të tij, përmes një ceremonie të organizuar nga Bashkia Bulqizë, ku morën pjesë Kryetari z.Lefter Alla, Kryetari i Këshillit Bashkiak z.Gëzim Xhafa, Deputeti i qarkut Dibër z.Halil Jakimi dhe figura intelektuale të qytetit.

Titulli “Qytetar nderi” u dha me motivacionin “për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga covid-19”

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Alla u shpreh se ndihej krenar teksa promovonte emra intelektualë të Bulqizës, të cilët lënë gjurmë përmes kontributit të tyre në shoqëri.

“Dr.Puca shquhet për një karrierë të gjatë në sektorin e shëndetësisë, duke kontribuar sa në angazhimin profesional në ndihmë të pacientëve nëpër spitale, po aq edhe për produktin shkencor që ka ofruar në këtë drejtim. Ai tashmë është nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare, ku përmes pjesëmarrjeve në konferenca shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, publikimeve të shumta në periodike vendase dhe të huaja, ka arritur të përfaqësojë denjësisht shkencën shqiptare. Padyshim që unë si Kryetar i Bashkisë ndihem krenar për dr.Mondin, i cili me punën dhe përkushtimin e tij është kthyer në një pikë motivimi për shumë të rinj bulqizak. Është detyra jonë të vlerësojmë dhe promovojmë siç duhet kapacitetet intelektuale të bashkive, qoftë për t’u dhënë atyre vlerësimin e merituar, po ashtu edhe për të zhvilluar vizionin e brezave drejt arritjes së suksesit. Shembulli i dr.Mondit është nga rastet e veçanta për të treguar se për më të mirët gjithmonë ka perspektivë. Nuk mjafton të lindësh dhe rritesh në qendër të metropoleve për të qenë i suksesshëm në jetë. Mjafton vullneti dhe dëshira e mirë për të punuar dhe ecur përpara, dhe suksesi do të jetë i garantuar për gjithkënd.”, u shpreh z.Alla.

Figura e Dr.Edomond Pucës u vlerësua edhe nga Kryetari i Këshillit Bashkiak z.Xhafa, Deputeti Jakimi dhe të tjerë të pranishëm në ceremoni.

Vetë z.Puca shprehu falënderime dhe mirënjohje ndaj Këshillit Bashkiak Bulqizë për titullin që iu dha, duke e vlerësuar atë si një shtysë për angazhime të mëtejshme profesionale dhe humane.

AlbaniaUSA