Ka përfunduar ndërtimi i Qendrës Shëndetësore në #Zogjaj, të NjA Shupenzë.

Ka përfunduar ndërtimi i Qendrës Shëndetësore në #Zogjaj, të NjA Shupenzë.
Projekti u realizua me mbështetjen e “International Project Aid” dhe “Vizion OJF”, të cilët kontribuuan për ndërtimin nga fillimi të kësaj qendre..
Kjo qendër është e plotësuar me pajisje brenda të gjitha standardeve të nevojshme për këtë lloj shërbimi.
Bashkia Bulqizë vazhdon të angazhohet me ndërtimin e qendrave shëndetësore në të gjitha njësitë administrative, duke e vlerësuar investimin në shërbimin shëndetësor si ndër prioritetet e saj.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, #1Qershori solli një atmosferë festive në qytetin e Bulqizës.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, #1Qershori solli një atmosferë festive në qytetin e Bulqizës. Të vegjlit e qytetit dhe nga të gjitha njësitë administrative iu bashkuan festimeve në qendër të qytetit, ku fillimisht vizituan mjediset e Bashkisë Bulqizë.
Kryetari Lefter Alla liroi zyrën dhe mjediset e Bashkisë për fëmijët, me të cilët kaloi pak kohë dhe bashkëbisedoi për dëshirat e tyre.
Më tej, aktivitetet vijuan me organizimet festive në pedonalen e qytetit dhe në pallatin e kulturës.

Është inauguruar sot fusha e re e futbollit në Shupenzë, pranë shkollës 9-vjeçare Ibrahim Daçi.

Është inauguruar sot fusha e re e futbollit në Shupenzë, pranë shkollës 9-vjeçare Ibrahim Daçi.
Fusha u çel me një ndeshje midis ekipeve të Gjimnazit #RifatManjani dhe #GjimnazitArbëria. Djemtë e Gjimnazit #RifatManjani shënuan fitoren e parë në këtë fushë, e cila është me një tapet bari natyral, e që do të shërbejë si një mjedis komunitar jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për një sërë aktivitetesh të tjera sportive që do të organizojë Bashkia Bulqizë.

Kampionati i ‘Kupës së Mundjes Tradicionale të Gollobordës’.

Kupa e Mundjes Tradicionale të Gollobordës.
Golloborda ka mbledhur sot shumë sportdashës nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, si edhe të tjerë nga Gjermania, Zvicra etj.
Në kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Shoqatës Sportive “Golloborda” dhe Shoqatës Kombetare të Mundjes Shqiptare, u organizua “Kupa e Mundjes Tradicionale të Gollobordës”’ ku pas ndeshjeve të njëpasnjëshme, fitues doli Arjan Dani, i cili përveç kupës, sipas traditës fitoi edhe ‘Dashin’ e kësaj gare.
Me pjesëmarrjen e veteranëve të mundjes dhe mundësve të rinj të fshatrave të Njësive Administrative Ostren, Trebisht, Stebleve, dhe të ftuar nga klube të mundjes popullore, ky aktivitet u kthye në një festë të vërtetë, ku krahas ndeshjeve, u organizua edhe një program artistik me valle popullore tradicionale nga grupi i vajzave te Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koçi”Ostren; një ekspozitë fotografike e Mundësve Veterane të Gollobordës dhe të Dibrës; një ekspozitë e Kulturës Popullore dhe Veshje tradicionale të fshatrave të Gollobordës dhe një vizitë në Muzeun e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koci” dhe në “Palestrën e Mundjes”.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla u shpreh se prej shumë vitesh Ostreni mirëpret qindra sportdashës të mundjes, duke festuar dhe duke vënë përballë njëri-tjetrit mundësit që garojnë për të fituar kupën, por, mbi të gjitha, banorët e zonës ia kanë dalë ta kthejnë këtë sport në një festë të vërtetë.
“Në fakt, më lejoni që që në fillim të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time ndaj të gjithëve ju, që përmes angazhimit në një aktivitet të tillë, ia dilni më së miri të shpalosni vlerat artistike dhe sportive të Gollobordës, veçanërisht në sportin e traditës suaj, atë të mundjes. Unë, pa hezitimin më të vogël mund të them se në çdo familje të kësaj zone ka një kampion të vërtetë. Sot që flasim, Ju gëzoni një vlerë të veçantë, pasi sporti dhe loja që dikur ishte pjesë e pandarë e festave familjare të Gollobordës, është trashëguar me fanatizëm nga brezi në brez duke u kthyer në këtë kampionat të përvitshëm, që përcjell në vetvete shumë kulturë, traditë e qytetari.”, tha ai ndër të tjera.