Kampionati i ‘Kupës së Mundjes Tradicionale të Gollobordës’.

Kupa e Mundjes Tradicionale të Gollobordës.
Golloborda ka mbledhur sot shumë sportdashës nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, si edhe të tjerë nga Gjermania, Zvicra etj.
Në kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Shoqatës Sportive “Golloborda” dhe Shoqatës Kombetare të Mundjes Shqiptare, u organizua “Kupa e Mundjes Tradicionale të Gollobordës”’ ku pas ndeshjeve të njëpasnjëshme, fitues doli Arjan Dani, i cili përveç kupës, sipas traditës fitoi edhe ‘Dashin’ e kësaj gare.
Me pjesëmarrjen e veteranëve të mundjes dhe mundësve të rinj të fshatrave të Njësive Administrative Ostren, Trebisht, Stebleve, dhe të ftuar nga klube të mundjes popullore, ky aktivitet u kthye në një festë të vërtetë, ku krahas ndeshjeve, u organizua edhe një program artistik me valle popullore tradicionale nga grupi i vajzave te Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koçi”Ostren; një ekspozitë fotografike e Mundësve Veterane të Gollobordës dhe të Dibrës; një ekspozitë e Kulturës Popullore dhe Veshje tradicionale të fshatrave të Gollobordës dhe një vizitë në Muzeun e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koci” dhe në “Palestrën e Mundjes”.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla u shpreh se prej shumë vitesh Ostreni mirëpret qindra sportdashës të mundjes, duke festuar dhe duke vënë përballë njëri-tjetrit mundësit që garojnë për të fituar kupën, por, mbi të gjitha, banorët e zonës ia kanë dalë ta kthejnë këtë sport në një festë të vërtetë.
“Në fakt, më lejoni që që në fillim të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time ndaj të gjithëve ju, që përmes angazhimit në një aktivitet të tillë, ia dilni më së miri të shpalosni vlerat artistike dhe sportive të Gollobordës, veçanërisht në sportin e traditës suaj, atë të mundjes. Unë, pa hezitimin më të vogël mund të them se në çdo familje të kësaj zone ka një kampion të vërtetë. Sot që flasim, Ju gëzoni një vlerë të veçantë, pasi sporti dhe loja që dikur ishte pjesë e pandarë e festave familjare të Gollobordës, është trashëguar me fanatizëm nga brezi në brez duke u kthyer në këtë kampionat të përvitshëm, që përcjell në vetvete shumë kulturë, traditë e qytetari.”, tha ai ndër të tjera.

Bashkia Bulqizë çel zyrtarisht sezonin turistik 2022.

Bashkia Bulqizë çel zyrtarisht sezonin turistik 2022.

Shumë qytetarë, të rinj e të reja dhe përfaqësues të pushtetit lokal u mblodhën në #FushëBulqizë në një atmosferë festive, që përkoi edhe me festimet e Shën Gjergjit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku z.Lefter Alla vlerësoi mundësitë mbresëlënëse që Bulqiza ofron për turizmin malor. “Bulqiza është mbresëlënëse për mundësitë që ofron për turizmin malor. Nga shpellat shekullore, te liqenet malore, e dhjetëra monumente të tjera natyrore mund të vizitohen në vetëm një orë larg kryeqytetit. Bujtinat e ngritura rishtazi ofrojnë traditën dhe mikpritjen bulqizake si askund tjetër.”, tha ai ndër të tjera.
Ndërkohë, atmosferës së festimeve iu bashkua edhe programi artistik i nxënësve të shkollës së mesme të bashkuar Asllan Keta, si edhe gatimet tradicionale të përgatitura me mjeshtri nga amvisat bulqizake.

5 Maj Dita e Dëshmorëve

#5Maj🇦🇱Dita e Dëshmorëve🇦🇱
Familjarë të dëshmorëve, veteranë, drejtues të pushtetit vendor dhe shumë qytetarë janë mbledhur sot me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.
Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ditë, Kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla vlerësoi “Kjo ditë dallon nga çdo festë tjetër, s’është as kremtim fetar, e as festë pagane. Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit, e atyre që s’njohën fe, besim e krahinë kur vendosën të dalin maleve për të mbrojtur atdheun. Është dita e atyre që kanë dhënë jetën e tyre për liri dhe demokraci, për të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Kjo datë na çon plot 80 vjet më parë, më 5 maj të vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.”
Sipas tij, “çdo shoqëri e rritur përmes vlerave, që ka kultivuar parime themelore në ecurinë e brezave, ndër të tjera i mëson kombit të vetë, të rinjve e të rejave, brezave të së ardhmes që të kthejnë kokën pas e të shohin rrugën e përshkuar ndër vite, dekada e shekuj, të jenë të vetëdijshëm se nga ku kanë ardhur, të kujtojnë dhe respektojnë historinë e të parëve të tyre dhe të mësojnë prej asaj kohe se ku do shkojnë në të ardhmen.”
Ndërkohë, duke nisur nga ky 5 Maj, Bashkia Bulqizë u ka dhuruar veteranëve një mjedis të posaçëm në Pallatin e Kulturës, i cili do të jetë në funksion të organizimeve të tyre dhe të mbledhjesh dhe ruajtjes së fakteve historike që datojnë me periudhën para çlirimit.

#557vjetori i betejës së parë të #Vajkalit ka sjellë në Bulqizë një grup arbëreshësh nga Italia, të cilët u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh të organizuara në kuadër të kësaj dite.

#557vjetori i betejës së parë të #Vajkalit ka sjellë në Bulqizë një grup arbëreshësh nga Italia, të cilët u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh të organizuara në kuadër të kësaj dite.
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla, i shoqëruar nga deputetët e Qarkut Dibër znj.Aurora Mara, z.Lavdrim Krrashi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut znj.Valentina Haliti, dhe drejtues të tjerë vendorë, mirëpritën në mjediset e Bashkisë
◾️Znj. Rosaria Capparelli, Kryetare e Komunës San Benedetto Ullano;
◾️z. Antonio Andreola, Zv./Kryetar i Komunës Casalvecchio di Puglia, dhe
◾️Z.Loris Castriota Skanderbegh, pasardhës i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Aktivitetet vijuan më tej në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku Kryebashkiaku Alla, ndër të tjera e vlerësoi këtë event si një ndër më të rëndësishmit të organizuar në Bashkinë Bulqizë. “Nga njëra anë përkujtojmë aktet historike të betejës së Vajkalit, nga ana tjetër, na nderojnë me praninë e tyre në Bashkinë tonë përfaqësues të njërës prej diasporave më të veçanta në botë, e cila, edhe pas shumë shekujsh, ka mundur të ruajë me fanatizëm origjinën e saj, duke i dalë për zot përpjekjes shumë shekullore të trimave shqiptarë dhe gjakut të tyre, të derdhur për kauzën më të shtrenjtë, mbrojtjen e lirisë së atdheut.”
Kryetari Alla theksoi se arbëreshët kanë ditur se si gjatë periudhës tashmë 5 shekullore në Itali, të formojnë një fizionomi të tyren në lëmin e kulturës, të artit dhe të letërsisë. “Prej tyre kanë dalë poetë e studiues të shquar të përmasave evropiane, si Jeronim Derada, Vinçenc Dorsa, Zef (Giuseppe) Skiro Senior, të cilët mbeten figura të mëdha mendimtare, politike e kulturore të rilindjes shqiptare në shek. XIX. Ky komunitet në tërësi, këta burra të shquar arbëreshë, veprat e tyre, jeta e puna që kanë bërë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën arbëreshe, meritojnë respekt dhe mirënjohje të pakufishme nga vendi mëmë.”, tha ai ndër të tjera.
Aktiviteti vijoi edhe me një program artistik të organizuar nga Bashkia Bulqizë dhe disa pjesë të luajtura nga arbëreshët.
AlbaniaUSA